Kriza ekonomike, Kraja: Para ka, por njerëzit i kanë kyçur, janë 10 mld euro kursime

vlcsnap 2020 10 14 21h44m48s608 1100x620

Kriza ekonomike vuri përballë bizneset dhe qeverinë në A2 Business Week këtë të mërkurë. Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi u shpreh se qeveria është e ndërgjegjshme për vështirësitë ekonomike që po kalon vendi, ndërsa theksoi se masat e marra japin shpresë për të dalë sa më parë nga situata.

“Nuk duam të lëmë vend për panik. Ne do të dalim, sa shpejt, do ta tregojë. Njohim jashtëzakonisht mirë situatën e vështirë ekonomike. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë. Gjërat duhet t’i themi me fakte. Në raportin e FMN thuhet se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë më e lartë se sa ishte parashikuar në fillim apo krahasuar me vendet e rajonit. Ka shpresë dhe masat tona këtë kanë synuar. Ne kemi filluar prej vitesh që të ulim, për biznesin e vogël dhe të mesëm, detyrimet fiskale”, tha Shalsi.

Ndërkohë, Sokol Kraja, kryetar i shoqatës Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, kërkoi që qeveria të kthejë sytë edhe nga biznesi i madh dhe jo vetëm nga ai i vogël apo i mesëm. Kraja u shpreh se para ka, por sipas tij, ato janë të mbyllura në banka dhe qeveria duhet t’i rrisë besimin njerëzve që t’i hedhin ato në ekonomi.

“Ne nuk jemi shumë të interesuar për politikat ekonomike që merr qeveria. Njerëzit i mbajnë lekët nëpër banka. Ka shkuar 10 miliardë euro totali i kursimeve të njerëzve në banka. Njerëzit nuk i hedhin këto para në ekonomi, në konsum. Si do t’ia rrisim besimin njerëzve, që të dalim nga kjo situatë? Para ka, por njerëzit i kanë të kyçura në banka. Kjo nuk është një gjë e mirë për ekonominë. Tjetër është ndërhyrja strukturale, me të cilën ne nuk kemi parasysh politikën e asistencave, por siç bëjnë vendet e rajonit. Ku do të zhvillohet ekonomia shqiptare? Kush është e ardhmja e ekonomisë? Jemi një vend shumë i vogël, por tregu është më i madh se vetëm brenda vendit. Ne duhet të krahasohemi me ekonominë e rajonit. Ne kemi shumë fason që eksportojnë jashtë dhe në këtë moment po mbajnë gjallë punonjësit vendas. Duhet t’i kthejmë sytë edhe te biznesi i madh, me ndërhyrje strukturore”, u shpreh Kraja.