Kriza nga pandemia, Sokol Kraja në A2 Business Week: Ekonomia në anestezi, e shpëtoi bujqësia dhe ndërtimi

Screenshot 2 1 1100x620

Kriza ekonomike dhe kërkesa e ndihmës nga ana e sipërmarrjes për shkak të pandemisë ishin në qendër të debatit mes të ftuarve, në emisionin e kësaj të mërkure, në A2 Business Week.

Për Kryetarin e Shoqatës së Prodhuesve, Sokol Kraja ekonomia shqiptare sot ndodhet në anestezi dhe shpëtoi nga kolapsi vetëm falë Bujqësisë dhe Ndërtimit. Sipas tij është e nevojshme që në situatën që ndodhet vendi sot qeveria të bëjë ndërhyrje strukturore dhe jo të shpërndajë asistenca.

“Le të themi që situata që po kalojmë nuk ka qenë më e mira e mundshme. I gjithë rajoni ka vuajtur, po ashtu dhe rajoni e bota. Po ta shikojmë, ekonomia botërore sot është në terapi intensive dhe ekonomia shqiptare është në anestezi. Do të thoja që parashikimi i rënies së GDP nga institucionet ndërkombëtare është real dhe në krahasim me ato që kaluam them që situata po përmirësohet. Jemi më mirë se vendet e rajonit. Por jemi më keq se Serbia. Na shpëtoi shumë bujqësia. Na shpëtoi ndërtimi, i cili pati rritje. Këto dy faktorë bënë që ekonomia shqiptare të shpëtojë. Për ne është mirë që qeveria të ndërhyjë me politika zhvilluese sepse po ta krahasojmë Shqipërinë me një kompani duhet thënë që kompania me emrin Shqipëri ka nevojë për ndërhyrje strukturore. Nuk zhvillohet ekonomia me asistenca”, u shpreh Kraja.

Ndërsa për kryetarin e Dhomës Britanike në Shqipëri, Zenel Hoxha situata është pranë katastrofës. Ai i konsideroi të pamjaftueshme paketa e qeverisë për ekonominë dhe shtoi se realiteti është akoma dhe më i vështirë nga ai që paraqet qeveria, duke e vënë theksin te papunësia.

“Situata është pothuajse afër katastrofës po ta krahasosh me madhësinë e ekonomisë shqiptare. Situata aktuale ka kontribuar në largimin e krahut të punës. Në përgjithësi, shifrat e dala nga qeveritë shqiptare janë të kontestuara nga mungesa e pavarësisë së institucioneve shqiptare, siç është INSTAT. Qeveria shqiptare nxori një paketë ndihmëse për ekonominë dhe konkretisht për biznesin, ajo u kontestua si e pamjaftueshme. U premtua se do të rishikohet. Por unë them që realiteti është krejt ndryshe nga ajo që thotë qeveria. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, them që janë të pamjaftueshme dhe kështu kemi papunësinë në nivele të larta”, u shpreh Hoxha.