Premtimet për bujqësinë, nafta dhe rritje fondesh këtë vit, në zbritje vitet e ardhshme

Kryeministri Rama e ka premtuar heqjen e akcizës për naftën në bujqësi që në vitin 2013, kur socialistët synonin të vinin në pushtet. Pas dy mandatesh, ai i rikthehet premtimit të vjetër, sërish në prag të zgjedhjeve.

E duket se në një vit parazgjedhor, edhe fondet për bujqësinë do të jenë më të shumta, për të pësuar rënie në vitet më pas.

Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2020-2022, publikuar nga Ministria e Financave, shpenzimet për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë këtë vit sa 0.67% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për të zbritur në vitin 2021 në 0.59% të PBB-së dhe në vitin 2022 në 0.55% të PBB-së.

Në rënie fondet për këtë sektor janë edhe kundrejt shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë, nga 1.84% këtë vit, në 1.78% vitin e ardhshëm dhe në 1.69% në vitin 2022. Ndërkaq fermerët kërkojnë më shumë financime për të mbajtur në këmbë punën e përditshme.

Pavarësisht financimeve të pakta, bujqësia është një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë, që kontribuon me rreth 20% në prodhimin e përgjithshëm kombëtar dhe ku në zonat rurale jeton ende mbi 40% e popullsisë.