Shqipëria nuk di të shënojë, barazim pa gola edhe ndaj Lituanisë

Shqipëria ka marrë një tjetër barazim pa gola në Ligën e Kombeve, këtë herë në transfertë ndaj Lituanisë, në një ndeshje të dominuar, por pa mundur të konkretizojë rastet që nuk munguan për shënim.

Me emra të rinj në formacion, Reja nuk arriti sërish të ndërtojë një skuadër fituese. Në ndryshim nga ndeshja me Kazakistanin, kuqezinjtë tentuan menjëherë të gjenin golin, duke krijuar disa raste të mira në pjesën e parë, por pa mundur të realizojnë. Edhe në pjesën e dytë, Shqipëria vijoi sulmet, por Broja e Seferi gabuan raste flagrante përballë portierit lituan.

Trajneri Reja aktivizoi në pjesën e dytë edhe Vrionin e Manajn, por as këta dy sulmues nuk arritën ta dërgonin topin në rrjetën e vendasve, duke bërë që Shqipëria të marrë barazimin e dytë radhazi në Ligën e Kombeve pas atij 3 ditë më parë në Kazakistan.

Për t’u veçuar nga ky takim ishin edhe dy raste, ku arbitri i mohoi Shqipërisë penallti të pastra, për prekje me dorë të mbrojtësve të Lituanisë.

Pas këtij takimi, kuqezinjtë renditen në vendin e dytë me 5 pikë, po aq sa Lituania e vendit të parë. Dy ndeshjet e fundit për Shqipërinë luhen në Tiranë, me Kazakistanin më 15 nëntor dhe ndaj Bjellorusisë 3 ditë më pas.