Takimi me Lajçak, Hoxhaj: Kosova nuk është e përgatitur për fazën mbyllëse të dialogut

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2, ku foli rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas vizitës së të dërguarit të Posaçëm të BE për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak.

Diplomati kosovar, ndau detaje nga takimi me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian dhe shprehu mendimin e tij në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Hoxhaj, dialogu me Serbinë tashmë është në fazën e tij finale, por Kosova është e papërgatitur për shkak të mungesës së konsensusit politik, përvojës së personave të angazhuar në dialog dhe se qeveria nuk ka mandatin e Kuvendit për këtë çështje.

“Kjo është faza finale e dialogut. Mirëpo Kosova për këtë fazë finale të dialogut nuk është e përgatitur ngaqë qeveria e Kosovës nuk ka arritur të marrë mandat nga Kuvendit për dialogun. Do të thoja një dialog që zhvillohet pa mandat të Kuvendit të Kosovës, pa një platformë të qartë politike se cilat janë pritjet e Kosovës, pa një konsensus të brendshëm politik mes forcave politike dhe njerëzit që përfaqësojnë Kosovën në dialog nuk reflektojnë një përvojë të mirëfilltë.

Këto janë shqetësimet që kemi për sa i përket dialogut dhe kontekstit të brendshëm të Kosovës. Ndërsa nga ana tjetër, Serbia bën përpjekje që ta mbajë Kosovën në “status quo” që asnjëherë të mos diskutohet për njohje të ndërsjellë, por të diskutohet për çështje teknike”, u shpreh Hoxhaj.