Testet e BKH/ Me shkrim dhe në dy grupe, kualifikohen 192 kandidatë

200 nga 424 kandidatë të kualifikuar për në fazën e dytë të vlerësimit për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar provimin logjik prej 30 pyetjesh, paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Pas përfundimit të procesit të testimit, kandidatët janë njohur me rezultatet ku vetëm 192 prej tyre kanë arritur të grumbullojnë 12 pikë që është dhe minimumi për të kaluar në fazën tjetër, atë të testit të aftësive fizike.

Testimi logjik vijoi në orën 14:00 ku iu nënshtruan dhe 224 kandidatë të tjerë, të cilët gjithashtu u duhet të sigurojnë të paktën 12 pikë për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit.

Në përfundim të fazës së dytë, kandidatët fitues do të kalojnë në 2 teste të tjera, atë të aftësive fizike dhe në makinën e së vërtetës.

Përmbyllja e testeve do të nxjerrë 60 kandidatët fitues që do t’i bashkohen Byrosë Kombëtare të Hetimit.