Ballë për ballë me një nënë të inatosur

Amerikani Kyle Burgess po shëtiste, të shtunën, në kanionin Slate në Jutah, SHBA, kur në shtegun malor u gjend për ballë një pume dhe tre këlyshët e saj. Edhe pse fillimisht mendoi se takimi do të ishte i këndshëm, 26-vjeçari kuptoi shpejt që gjërat mund të bëheshin të rrezikshme shumë shpejt.

E frikësuar për sigurinë e këlyshëve, puma nisi të ndiqte të riun duke e kërcënuar. E gjithë ngjarja u filmua nga Burgess me celular, ku ai dëgjohet të bërtasë për të frikësuar pumën, që në fakt, e ndjek për rreth 6 minuta. Më pas, Burgess arrin të marrë një gurë e ta hedhë në drejtim të kafshës, që në atë pikë kthehet dhe largohet prej tij.

“E kuptova shpejt që gjërat mund të mos shkonin mirë, sidomos kur nisi të hapte putrat para meje”, tha ai për mediat lokale dy ditë më vonë.