Dalja e parë në 7 muaj, mbretëresha britanike sfidon rregullat, nuk mban maskë

Mbretëresha britanike, Elizabeth, ka sfiduar masat anti-covid në daljen e parë publike jashte rezidencave të saj, në 7 muajt e fundit.

Monarkja 94-vjeçare, e cila bën pjesë në grupmoshën e riskut, u shfaq pa maskë mbrojtëse në laboratorin sekret ushtarak, “Porton Down”. Megjithatë, të pranishmit, ku bënte pjesë dhe princi William, respektuan distancimin fizik.

Mediat britanike raportojnë se të gjithë pjesëmarrësit në këtë vizitë janë testuar për Covid-19, prandaj ishte konsideruar e panevojshme mbajtja e maskave.

Mbretëresha Elizabeth vizitoi laboratorin sekret për të inspektuar punën e hetuesve mjeko-ligjorë si dhe për të parë nga afër armët dhe taktikat e përdorura në operacione të inteligjencës britanike.