Greva e urisë së naftëtarëve, diskutime dhe në parlament, Murrizi: Kompanisë i pezulluat gjobën

Murrizi  1100x620

Greva e urisë së naftëtarëve u diskutua dhe në parlament. Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, Myslym Murrizi, reagimi i qeverisë është inekzistent.

Ndërsa ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, qasja ka qenë ndryshe, tha Murrizi. Ministrja e Financave reagoi, por nuk u ndal te greva.

“Është dita e 15 e grevës në Ballsh dhe atje jetojnë 800 familje me atë uzinë. Nuk shoh asnjë reagim të qeverisë edhe pse premtuat në vitin 2013 se askush nuk do të tallej më me ata punëtorë, ndërsa sot heshtni. 450 mijë euro janë pagat e tyre mujore, 5,4 milionë euro gjatë vitit, 100 milionë euro ka pezulluar ministrja gjobë kompanisë”, tha Murrizi.

“Është një situatë e vështirë me naftëtarët, por disa herë keni përdorur çështjen e “Bankers” në lidhje me emrin tim për një pezullim, por këtu nuk po bëhet fjalë për falje, por po flasim për të mbrojtur buxhetin me akte juridike për të mos shkuar në kosto. Për qytetarët, këto të dyja mos i bashkoni dhe as emrin tim të lidhur me këtë”, u shpreh ministrja Anila Denaj.