Inceneratorët, Basha: SPAK të nisë hetimet, ose të dorëhiqet

Me emra të përveçëm kryedemokrati Basha denoncoi sërish aferën korruptive, siç e quajti ai, të mafies së plehrave, ndërsa i bëri thirrje SPAKU-t të nisë, menjëherë, hetimet.

“Rama, Ahmetaj, Veliaj, Klodian Mërtiri me shokë, sot vazhdon të marrë miliona euro, që duhet të shkonin për të papunët e bizneset e vogla, ka shtrirë tentakulat, jo vetëm në shtet, por edhe pronarë të mediave. Refuzoni paratë e mafies dhe denonconi aferën korruptive 400 mln euro të shqiptarëve për mafien e plehrave. Nuk është kurrë vonë për të denoncuar.”

Basha tha se duhet të justifikojë ekzistencën e tij duke hetuar aferën 400 milionë të mafies së plehrave.

“SPAK të justifikojë ekzistencën. Keni marrë miliona nga taksapaguesit, është momenti të çoheni dhe të mbroni bukën e gojës së shqiptarëve. SPAK të nisë dhe njoftojë hetimet për aferën 400 milionë të mafies së plehrave. Të japin përgjegjësi para shqiptarëve, ose të japin dorëheqjen”.