Kina teston 10 milionë banorë për 4 ditë, asnjë i infektuar

Autoritetet lokale kineze kanë testuar për koronavirus thuajse të gjithë 11 milionë banorët e qytetit Qingdao brenda 4 ditëve, për të ndaluar përhapjen e virusit i cili kishte prekur 13 persona gjatë ditëve të fundit.

Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se morën mostrat e 9,9 milionë personave dhe kanë publikuar rezultatet e 7,6 milionë prej tyre deri tani, duke njoftuar se askush nuk ka rezultuar pozitiv, të paktën sipas pretendimeve të zyrtarëve vendas.

13 rastet e reja në Qingdao ishin të parat pas thuajse dy muajve pa transmetim të virusit brenda Kinës. Megjithatë, testimet u panë si mënyra për të kontrolluar virusin në këtë situatë dhe jo të merreshin masa të tjera, duke lejuar qytetarët të jetojnë normalisht.

Autoritetet nisën testimet ditën e diel, duke improvizuar qendra mjekësore rreth qytetit, të cilat ishin të hapura nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 23:00 të mbrëmjes.

Zyrtarët e shëndetësisë në Kinë kanë thënë se qeveria po ndjek politikën e testimeve masive në raste të zbulimit të grupeve të infeksionit.