KLGJ miraton vendimin për kohëzgjatjen e anëtarëve

klgj foto 1100x620

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar vendimin për kohëzgjatjen e anëtarëve të tij.

Sipas KLGJ-së, mandatet 3-vjeçare janë të vlefshme deri në datën 12 dhjetor 2021, ndërsa mandatet 5-vjeçare deri në datën 12 dhjetor 2023.

Kuvendi i Republikës shpalli nga dy vende të lira në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për pozicionet që i takojnë anëtarëve nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës. Kandidatët do të synojnë vendet e Gent Ibrahimit dhe Sandër Becit në KLP dhe Maksim Qokut e Erion Muharremajt në KLGJ, të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018 dhe kanë mandat 3-vjeçar.

Por, llogaritja kohore e Kuvendit për përfundimin e mandatit të anëtarëve aktualë nuk është e njëjtë me atë të KLP. Kuvendi konsideron fundin e mandatit 3-vjeçar të katër anëtarëve aktualë, shkurtin e vitit 2021. Ndërsa KLP, në një mbledhje të zhvilluar të martën vendosi llogaritjen e mandatit të anëtarëve, duke vlerësuar se, referuar ditës së nisjes së funksionit të këshillit në dhjetor 2018, mandati 3-vjeçar i pesë prej anëtarëve përfundon në dhjetor 2021.