Lleshaj-Maliqi, interpelanca me akuza personale mes ministrit e deputetit

Interpelanca mes ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe deputetit të opozitës, Lefter Maliqi, u bë personale, kur Lleshaj i rikujtoi të shkuarën si efektiv policie.

“Meqë më përmende Rrëshenin, e njeh mirë ti se ke shërbyer ca kohë atje, të palavdishme, shpresoj mos të dalin ato histori se do t’iu pengonin të dilnit në foltore, po të jenë ashtu siç i di unë. Por mund të fitoni një vetting falas si ish- punonjës i policisë”, ishin fjalët e ministrit.

Por përgjigjja e Maliqit nuk mungoi. “Jam larguar dy herë nga policia, një herë pasi kam denoncuar një drejtor të lidhur më krimin që u dënua më pas, dhe një herë tjetër në 2005, me kërkesën time,  për t’u futur në politikë.  Nuk po merrem me kohën kur si komandat regjimenti i ke dhënë vëllezërve të tu  ish- reparte ushtarake në Marikaj, Vorë dhe Kamëz”, ishin akuzat e deputetit ndaj Lleshajt.  

Më herët, Lleshaj tha se Shqipëria nuk ka njolla të krimit, ndërsa niveli i treguesve është në më të mirën e tij historike. Ministri theksoi se është e papranueshme sipas tij të bëhet politikë mbi krimin kundër policisë, ndërsa iu përgjigj deklaratave të opozitës duke i cilësuar si të djegura. Sa i përket kanabisit, Lleshaj tha se hashashi në Shqipëri ka marrë goditje shkatërrimtare, por për opozitën situata në vend nuk ka nevojë për statistika.

Pak ditë më parë, Elbasani u përmend nga kryeprokurori i përgjithshëm si një qytet i kapur nga krimi ndërsa kanabisi është ngritur si shqetësim pas ngjarjes së rëndë, në Malësi të Madhe, ku dy persona u vranë për hashashin.