Maskat në vende të hapura, qytetarët të ndarë në opinione dhe mundësi

Njerëz me maska në fytyrë mbizotëronin në rrugët e qyteteve kryesore të vendit, që në orët e para të mëngjesit, të kësaj të enjteje.

Por, si për çdo vendim që ka të bëjë me përballimin e pandemisë, edhe vendosja e maskave në vende të hapura ka ndeshur në qytetarë që janë pro dhe kundër këtij vendimi, të tjerë shprehen se nuk kanë mundësi të blejnë, ndërsa disa nuk e mbajnë dot për shkak të sëmundjeve që kanë.

Në Durrës, qytetarët janë të ndarë nëse duhet mbajtur ose jo maska në ambiente të hapura. Madje, nuk mungojnë as zërat se po shkelen të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, në Vlorë moshat e treta dhe qytetarët mendojnë se maska duhet mbajtur pasi mbron shëndetin e tyre dhe të tjerëve që i rrethon dhe jo për shkak të gjobës.

Edhe në Kukës, qytetarët janë dakord me mbajtjen e maskës në ambiente të hapura.

Ndërkohë, në Korçë, shtresat e varfra shprehen se nuk kanë mundësi ekonomike që të blejnë çdo ditë maska, duke apeluar që për to shteti të mundësojë dhënien e maskave falas.

Në Korçë, policia nuk ka ngurruar që të vendosë gjoba që në ditën e parë të mbajtjes së maskave, madje janë shoqëruar edhe persona që nuk kishin mjet identifikimi me vete. Ndryshe ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku policia ka këshilluar me qindra qytetarë që të vendosin maskat duke i paralajmëruar që në rast përsëritje do të penalizohen me gjoba.

Edhe në qytetin e Elbasanit, qytetarët në shumicë kanë vendosur maskat, por nuk mungonin në rrugë as ata qytetarët që nuk e kishin vendosur fare maskën, duke bërë diferencën me shumicën e njerëzve.