Nora Malaj: Arsimi, ekonomia dhe punësimi, shtyllat e LSI-së për daljen nga kriza

Arsimi, ekonomia dhe punësimi, janë shtyllat e LSI-së për daljen nga kriza. Kështu ka deklaruar në studion e A2 CNN, përfaqësuesja e LSI-së, Nora Malaj. Sipas saj njerëzit sot kanë humbur besimin te klasa politike dhe ndihen të pashpresë.

“Situata po bërtet, sot ka ardhur momenti për t’i dhënë disa zgjidhje problemeve. Nëse nuk investojmë për arsimin, nesër do të jetë shumë vonë. Mësuesit e ndjejnë sot gjithë kalvarin e mundimeve që kemi kaluar në ’97. Mësuesi duhet të ketë një status, që të vendoset në ligjin e arsimit parauniversitar. Kemi situatë të tmerrshme në fushën e ekonomisë, turizmi në prag të degradimit, qeveria duhet të kishte marrë disa masa. Njerëzit sot kanë humbur besimin te klasa politike dhe ndihen të pashpresë. Arsimi, ekonomia dhe punësimi janë shtyllat e LSI-së për daljen nga kriza”, e cila theksoi se një tjetër prioritet i LSI-së është edhe shpopullimi.

“LSI është parti e të rinjve dhe do që ta bëjë Shqipërinë që të jetë shtëpia e tyre”.

Vendimin për mbajtjen e maskave, Malaj e sheh si heqje të vëmendjes nga problemet më të mëdha që ka vendi, ndërsa akuzon qeverinë se ka mbyllur sytë dhe veshët dhe vijon propagandën me premtime të pambajtura.  

“Vendimi i maskës, heq vëmendjen nga problemet më të mëdha të vendit që nga naftëtarët që luftojnë për të drejtën e tyre. Shteti ka detyrim ligjor t’u përgjigjet punonjësve dhe kalvari i mundimeve nuk mbaron këtu. Situata nuk është vetëm për maskë, por edhe për oksigjen. Jetojmë në ditë të vështira ku qeveria ka vendosur të mbyllë veshët dhe sytë dhe të vijojë me propagandën premtime të pambajtura ose gjysmake, qeveri që bën vetëm make up dhe luan me qytetarët në emër të pushtetit. Sistemi ka dalë i paaftë për t’u menaxhuar, qeveria ka zgjedhur qasje të gabuar. 70% e qytetarëve në zonat urbane nuk e mbajnë maskën. Çështja e maskave më kujton vajgurin, por mungonin fitilat. Janë 40% e familjeve që marrin rroga minimaliste që e kanë të pamundur të pajisen me maska dhe e kanë të detyruar të paraqiten me maska”.