Prej 4 ditësh i humbur, zbardhet dëshmia e babait të Ermal Ngucajt

Një 40-vjeçar nga Lepenica e Vlorës raportohet të ketë humbur kontaktet me familjarët e tij prej 4 ditësh. Bëhet fjalë për shtetasin Ermal Ngucaj, për të cilin familjarët kanë bërë denoncim në polici.

Familja dyshon për rrëmbimin e tij dhe dyshimet paraprake të policisë lidhen me të kaluarën e këtij personi, i cili rezulton me precedentë penalë, ndërkohë që makina e 40-vjeçarit është gjetur në fshatin Mavrovë të Vlorës.

Prindërit e Ermal Ngucaj deklaruan për A2 se pritën që djali t’i merrte në port teksa ktheheshin  nga Italia , të martën e 13 tetorit.  Por, telefoni celular i 40-vjeçarit rezultonte i fikur që prej të hënës në mbrëmje. E fundit që ka komunikuar me të ka qenë bashkëshortja e tij,  të cilës i ka thënë vetëm pak fjalë.  

“Do ndërrohem dhe do iki për punë, ik se ngatërrova rrugën” dhe mbylli telefonin.

Babai i tij, Fejzi Ngucaj tregon se, të martën, në mbrëmje, ka kërkuar për Ermalin, teksa në afërsi të një karburanti ka marrë vesh se automjeti i të birit ishte parë në Mavrovë.

“Më shoqëroi një punëtor i karburantit deri te makina, ai e kishte parë makinën kur vinte për në punë. Lajmërova policinë, dyshova se mos e kishin vrarë dhe e gjeja në bagazh” , thotë  80-vjeçari me lot në sy.