Refuzoi të ishte pjesë e listave të PD-së, Haris Vogli shpjegon arsyet në A2

Pedagogia Haris Vogli refuzoi të ishte pjesë e listave të kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit nën logon e PD-së. Në studion e Ditari në A2, Vogli ka shpjeguar arsyet e këtij refuzimi që, sipas saj, ka të bëjë me angazhimin e saj akademik, por edhe për shkak të emrave në listë, pasi e konsideron parlamentit si kultin e përgjegjshmërisë për të përfaqësuar kombin dhe do të donte të shihte më pak të rinj.

“Është përgjegjësi, ndjej se kam për të investuar te vetja ime, kam disa etapa akademike, kam kërkuar mundësi për t’u arsimuar dhe kjo ishte arsyeja dhe parlamenti është një përgjegjësi shumë e madhe dhe kontributin nuk e shoh në legjislativ, por në qeveri, akademi e rrjete sociale.

Ishte ngacmimi që më erdhi nga pjesa më e madhe që ishin në listë, m’u duk histeri kolektive, dalldi. Parlamenti është kult dhe maja e përgjegjshmërisë për të përfaqësuar një komb të tërë. Do të doja përgjegjësi të atyre emrave që dalin në listë, do të dëshiroja më pak të rinj”, shprehet Vogli, ndërsa merr si shembull idhullin e saj politik Gramoz Pashkon, që e konsideron një nga mendjet më të ndritura të ideve politike.

“Gramoz Pashko ndër mendjet më të ndritura që ka ngritur themelet e ideve demokratike në vend dhe ai ka qenë shumë pak protagonist në skenë”.

Për Voglin në Shqipëri është rrënjësur mentaliteti i dëshirës për të qenë në parlament, sesa për të sjellë ndryshimin. Duke e kosnideruar veten pakicë ajo i bën apel shumicës për reflektim, për të përfaqësur zërin e qytetarëve.

“Në Shqipëri është rrënjësor një mentalitet, që më shumë dëshira është për të qenë në parlament sesa për të sjellë ndryshim, ndryshimi më i madh duhet të vijë nga vetja.

Përbëj pakicën dhe vij ndryshe te shumica, do të doja që reflektimi të ishte më i madh te personat që përfaqësojnë zërin e qytetarëve të cilët janë më pak të përfaqësuar”.

Ajo e konsideron të domosdoshëm rrotacionin politik dhe thotë se partia në pushtet është e humbur pasi nuk ka program dhe ka përdorur çdo mjet për të qëndruar në pushtet për interesat e saj dhe jo të shqiptarëve. Ndërsa opozitën e sheh më pranë qytetarëve dhe problemeve të tyre.

“Qeveria aktuale nuk merret me lista, por me koalicione, sepse partia në pushtet është e humbur, rrotacioni është i domosdoshëm dhe ndryshmi duhet të vijë i vrullshëm. Është e rëndësishme që shqiptarët të kuptojnë nga buron problemi.

Fenomeni që unë vë re është që mazhoranca nuk erdhi me një program në parlament, ka persona që kanë ardhur nga krimi, PS ka përdorur çdo armë për të qëndruar në pushtet për interesat e veta dhe jo të shqiptarëve.

Ajo që shoh te opozita është se pranë qytetarëve, ka njohur problematikat e tyre dhe opozitarët janë ata që nuk e amnistojnë qeverinë dhe nuk bëhen krah me mazhorancën”.

Vogli u bëri apel qytetarëve që të zgjedhin programin e PD-së dhe ta votojnë atë.

“Qytetarët kanë vështirësi të largohen nga vendi për shkak të pandemisë dhe kanë mjaftueshëm kohë për të reflektuar dhe reaguar.

Shpresoj që qytetarët të largohen nga militantizmi, të shohin programet se në 30 vjet nuk ka pasur qarkullim elitash dhe duke qenë se opozita vjen me një program ta shohin dhe ta zgjedhin atë program dhe ta testojnë. E shoh kreun e opozitës si shembullin e një politikani europian”.

Në studion e A2, pedagogia Vogli ngriti dhe shqetësimin e largimit masiv të të rinjve jashtë vendit, ku për pasojë rrezikohen të mbyllen edhe shumë degë.

“Kemi 7 vjet që shohim largim në masë të të rinjve e mendjeve të ndritura. Unë e prek përditë largimin nga auditorët, ka vite që konstatoj në auditor largimin në masë të të rinjve, por nuk kemi fuqi premtuese, nuk u them dot që të rrinë. Rënie masive e studentëve që rrezikon shumë degë të mbyllen. Dhe ajo që them gjithnjë është nëse ju nuk qëndroni kush do ta bëjë Shqipërinë është bërë edhe si moto “ikim”. Ajo që u them studentëve është shembulli im. U them të shkojnë dhe kualifikohen dhe ju mund ta bëni Shqipërinë. Kemi një shpopullim dhe kjo ka qenë zanafilla e nismës: “Mos e braktis Shqipërinë”.

Të ngremë zërin publik dhe t’i themi njëri-tjetrit që duhet të qëndrojmë. U bëj thirrje shqiptarëve të reflektojnë me veten”, përfundon Vogli.