“1500 $ në muaj për t’u bërë pjesë e konfliktit Armeni-Azerbajxhan”

CNN ka gjetur dëshmi të tjera që vërtetojnë se luftëtarë të forcave rebele siriane po rekrutohen për të luftuar si mercenarë në konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për territorin e Nagorno-Karabakh.

CNN foli me një shtetas sirian i cili ishte nisur nga Siria për në Azerbajxhan. Ai tha se ishte pjesë e një fraksioni të Ushtrisë Kombëtare Siriane, që mbështetet nga Turqia dhe pranoi se pas ftesës së komandantit, 90% e ushtarëve kishin pranuar. “Na thanë që do të na japin 1500 dollarë në muaj. Kemi kontrata tremujore dhe rrogën do ta marrim çdo muaj”, tha ushtari, i cili preferoi të mos jepte emrin e vërtetë, në një komunikim me CNN përmes Whatsapp.

Ai shtoi se nuk kishte informacion se kush paguante, por paratë do t’i merrte në dorë nga komandanti i njësisë së tij. Sipas dëshmisë, ushtarët mblidhen në zonën Havar Kilis pranë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë, për t’u transportuar më pas drejt Azerbajxhanit. Deri tani, numri i sirianëve të rekrutuar, tha ai, ishte rreth 1000.

CNN kontaktoi me qeverinë turke për të pyetur nëse është e përfshirë në rekrutimin e luftëtarëve sirianë, por Ministria e Jashtme i quajti pretendime të pabaza. Edhe Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit mohoi që të ketë shtetas sirianë në territorin e saj dhe tha se pas këtij lajmi qëndron Armenia.