75 mln euro për inceneratorë që s’funksionojnë, Vokshi: Vendgrumbullimi i mbetjeve në Mbrostar, bombë ekologjike

Vendgrumbullimi i mbetjeve, në Mbrostar, po kthehet në një katastrofë ekologjike, deklaroi ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi, në studion e Ditari në A2. Sipas saj janë dhënë miliona euro për një incenerator që nuk funksionon, duke u kthyer në bombë ekologjike që dëmton shëndetin e banorëve, duke lëshuar gazra helmues.

“Unë kam qenë vetë në Mbrostar në vendgrumbullimin e mbetjeve në Fier, i cili duhet të ishte vënë në funksionim, e që ka marrë mbi 20 mln euro. Duan të fshehin realitetin, pasi 20 mln euro janë dhënë për një incenerator që nuk punon, për një shërbim që nuk kryhet. Një incenerator që duhet të funksiononte. Është kthyer në katastrofë ekologjike. Mbetjet grumbullohen, nuk përpunohen, është bombë ekologjike, sepse dëmton shëndetin e banorëve pasi lëshon gazra helmues”, tha Vokshi.

Ajo ka denoncuar 75 mln eurot e dhëna për inceneratorë që nuk funksionojnë për llogari të kompanive fantazmë, pronarët e të cilëve nuk bëhen publikë.

“Ajo që kemi denoncuar janë 75 mln euro të paguara për llogari të kompanive fantazmë pronarët e të cilëve nuk bëhen publikë, pavarësisht insistimit të PD-së. 75 mln euro për inceneratorë që nuk funksionojnë.”