Bushati i sigurt: Rama do të formojë qeverinë më 26 prill, sfidë, marrja e 74 mandateve

Deputeti socialist, Ervin Bushati, i ftuar në “Ditari” në A2 CNN u shpreh i sigurt se PS-ja do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit dhe tha se Rama do të formojë qeverinë, më 26 prill. Sipas tij, PS-ja do të jetë forca e parë dhe do të vazhdojë të jetë mazhoranca e këtij vendi, sepse po hap dyert për njerëz të rinj për të përmirësuar punën nga pikëpamja politike e organizative me një ekip dhe kontratë pune.

“PS ka bërë një hapje të madhe, po hapim dyert e zemrat për njerëz të rinj e procese të reja që do të përmirësonte punën tonë nga pikëpamja politike dhe organizative. Ne jemi gati të pranojmë e përthithim njerëz dhe ide të reja për të pasur ofertën më të mirë në formatin politik, për 25 prillin dhe jam i sigurt që PS-ja do të jetë forca e parë, do vazhdojë të jetë mazhoranca e këtij vendi. Do të kemi një ekip të punës një kontratë të punës më shumë sesa politike dhe kjo do të kërkojë njeriun që është në krye të punës,  që është Rama, dhe ai do të formojë qeverinë e re, më 26 prill”, tha Bushati.

Duke e konsideruar qeverisje socialiste solidare, Bushati tha se PS-ja punon me zemër, teksa përmendi çfarë është bërë që nga tërmeti dhe deri më sot, ai tha se qytetarët do ta votojnë më 25 prill.

“U kemi qëndruar pranë njerëzve në nevojë dhe e kemi bërë me zemër. PS është solidare, punojmë me zemër dhe qytetarët do të votojnë me mend kur të vijë dita e votimit. Që nga tërmeti ne jemi në një situatë të tillë të jashtëzakonshme, jemi marrë me dhënien e banesave. Ato që kemi bërë me zemër për qytetarët pas tërmetit dhe me pandeminë. Një paketë ligjesh për biznesin e vogël që përfitojnë 91% e bizneseve në Shqipëri nuk do të paguajnë taksa, në këtë vit të vështirë ne kemi bërë gjithçka. Për bujqit, po bëjmë skemën e naftës pa akcizë. Investimet janë në zhvillim. Janë 1.5 mld euro që i shtohen ndërtimt si sektor. Ky solidaritet është i gjithë në funksion të shoqërisë. Qytetarët do të ndihen më të sigurt me Ramën kryeministër.”

Po pavarësisht këtyre, Bushati thotë se sfida e PS-së është marrja e 74 mandateve, në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa përjashton idenë e rrotacionit.

“Ne do të vazhdojmë të jemi forcë e parë, ne kemi ardhur në rritje. Ideja e rrotacionit është se në demokraci nuk është me rrotacion, por me votacion. Ajo që kemi sfidë është që ta kapim me 74 mandate”, thekson Bushati, ndërsa shton se në këto vite qeverisje Shqipëria ka ecur shumë mirë.