Inter-Milan, derbi në kohë pandemie

Ibra Lu 1100x620

Inter-Milan, që do të luhet këtë të shtunë në orën 18:00, nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët. Pandemia ka ndikuar në mënyrë të dukshme, një prej sfidave më të zjarrta në planet.

Atmosfera në “San Siro” do të jetë e ftohtë. Ndeshja e karakterizuar nga tribunat e tejmbushura, koreografitë plot ngjyra dhe brohoritjet, këtë herë do të ketë vetëm njëmijë spektatorë të pranishëm, të gjithë tifozë zikaltër.

Për më tepër, shumë futbollistë do të mungojnë në fushë. Në total janë tetë lojtarë të prekur nga koronavirusi, dy nga Milani dhe gjashtë nga Interi. Kuqezinjtë gjejnë Zlatan Ibrahimovic, që pas karantinës e kaloi plotësisht koronavirusin.

I gatshëm do të jetë edhe kapiteni Alessio Romagnoli, ndërsa mungesë e rëndësishme është ajo e Ante Rebic, i cili nuk është rikuperuar në kohë. Mungesat në mbrojtje detyrojnë trajnerin Pioli që të kthejë në ekip në kohë rekord Romagnolin, i cili ka kryer vetëm një javë stërvitje pas dëmtimit 3-mujor.

Te zikaltrit, megjithë numrin më të madh në letër, mungesat nuk i komplikojnë shumë planet e Antonio Conte. Interi ka humbur vetëm dy titullarë, mbrojtësin Alessandro Bastoni dhe mesfushorin Ashley Young, që pritej të luante nga e majta.

Young do të zëvendësohet nga një zgjedhje e parë, si Ivan Perisic, ndërsa problemi kryesor lidhet me Bastonin, që ka si zëvendësues Kolarov, i cili nuk përshtatet si duhet në mbrojtjen me tre lojtarë. Për sa i takon Skriniar, Radja Nainggolan, Gagliardiniapo Radu, asnjëri prej tyre nuk do ta niste derbin nga minuta e parë, ndërsa në dyshim është edhe prezenca e Alexis Sanchez, i dëmtuar me Kilin.

Të dyja skuadrat kanë mungesa, por vetëm fusha do ta tregojë se cila prej tyre do të penalizohet më tepër nga derbi në kohën e pandemisë.