Marina meksikane sekuestron 2 tonë kokainë në Paqësor

Marina meksikane sekuestroi 2 tonë kokainë që po pluskonin në oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Akapulkos, raportuan autoritetet shtetërore të sigurisë të enjten.

Në videon e publikuar nga marina duken 95 pako që më vonë u zbulua se mbanin kokainë brenda një varke, por kur trafikantët kuptojnë se po ndiqeshin nga forcat e sigurisë hedhin lëndën narkotike në ujë. Gjatë operacionit u përfshinë anije ushtarake, helikopterë dhe avionë, që bënë të mundur pikasjen dhe kapjen e drogës.

Korridori i Amerikës Qendrore është kryesor në trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas qeverisë meksikane, nga janari deri në mes të shtatorit, janë sekuestruar në total 20 tonë kokainë, 46% më shumë se në të njëjtën periudhë kohore të vitit 2019.