“Mini-Shengeni” ndez debatin, Hoti: Kosova do të ketë të drejta të barabarta

Çështja e Mini-Shengenit Ballkanik ndezi debatin në parlamentin e Kosovës. Kryeministri Avdullah Hoti, mbrojti qëndrimin e tij për t’iu bashkuar nismës rajonale duke theksuar se vendi do përfaqësohet me të drejta të barabarta si Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Për Mini-Shengenin nuk ka marrëveshje, as në mesin e atyre tre vendeve që e kanë iniciuar këtë çështje. Tash do të diskutojmë për të çuar përpara këtë nismë. Atë që mund të garantojë është që Kosova do të marrë pjesë në këtë nismë vetëm si palë e barabartë. Ulemi dhe diskutojmë pjesën formale të kësaj marrëveshje. Nuk ka asgjë që ne po i bashkohemi, tri vende e kanë nisur këtë ide, tash ne do të bashkohemi asaj nisme për të negociuar një marrëveshje për lëvizje të lirë me Kosovën si përfaqësuese dhe shtet i barabartë”, tha kryeministri i Kosovës.

Por ky ndryshim i shpejtë qëndrimi ka ngjallur dyshime tek deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Përkundër faktit që keni qenë i informuar në momentin kur është plasur kjo ide nga takimi në Novi Sad prandaj është ritheksuar në takimin e Ohrit, prandaj jeni ftuar në Durrës, të gjitha i keni kundërshtuar me ngulm. Çka ka ndryshuar në këtë proces? Ju e thatë se është proces politik, por është proces që është paralajmëruar prej Serbisë mua më intereson cila do të jetë qasja e Kosovës kur qëndrimet tua kanë ndryshuar, në përmbajtje, jo politikisht”, u shpreh Mimoza Kusari-Lila.

Kryeministri i Kosovës iu përgjigj deputetes opozitare duke thënë se është ajo që i ndërron qëndrimet sa herë që ndryshon ulëset e partive. Kritikat e Lëvizjes Vetëvendosje erdhën pasi Hoti konfirmoi se Kosova do t’i bashkohet nismës rajonale si pjesë e një zotimi të marrë përsipër në marrëveshjen me Serbinë të nënshkruar në shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Përpara këtij akordi, shefi i qeverisë së Prishtinës ka kundërshtuar shpeshherë Mini-Shengenin ballkanik, madje edhe me tone të ashpra.