Moti i keq në Kukës, rrëshqitjet e dherave rrezikojnë urën, Fierza i afrohet kuotës maksimale

Intensiteti i lartë i reshjeve ka krijuar mjaft problematika në qarkun e Kukësit, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Në disa segmente janë sinjalizuar rrëshqitje të dherave, që sollën vështirësi për qarkullimin e mjeteve.

Në Tropojë, ka rrëshqitje të një pjese rruge afër urës së Balishajës, në fshatin Kojel të Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër, një urë që rrezikon të izolojë fshatrat Shumicë e Ahmataj.

Prej ditësh, qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ndërkohë që lartësitë prej 2000 metër mbi nivelin e detit kanë pasur edhe reshje bore. Reshjet e shiut kanë një efekt pozitiv për të mbjellat vjeshtore, por njëkohësisht për të rritur edhe nivelin e lumenjve dhe liqeneve. Liqeni i Fierzës po i afrohet kuotës maksimale.

Niveli i ujit në HEC-in e Fierzës arriti në 274 metër, ndërkohë që prurjet e ujit janë mbi 200 metër/kub në sekondë.