PR mbledh Këshillin Politik, Mediu: 25 prilli, fitorja e vlerësimit të kombit

Mblidhet Këshilli Politik i Partisë Republikane Shqiptare, i cili ka në përbërje intelektualë, të rinj, profesionistë dhe pedagogë.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se ky Këshill duhet të kthehet në një qendër të organizimit të debatit për forcimin e së djathtës dhe ideve të saj.

“E djathta duhet të fokusohet në angazhimin e figurave historike me kontribut në jetën parlamentare, qeverisëse dhe publike, gjithashtu, të një brezi të ri intelektualësh të cilët krijojnë një vlerë të shtuar të së djathtës dhe janë e ardhmja në rrugën e ndryshimit dhe zhvillimit Europian të Shqipërisë. 25 prilli duhet të jetë fitorja e së djathtës, e vlerësimit të kombit, traditës, familjes dhe zhvillimit ekonomik. Kjo fitore duhet të shërbejë kundrejt ndërtimit të shtetit dhe të shqiptarëve dhe jo të pushtetit të kalbur e korruptiv, që rrënon të ardhmen Europiane”, deklaroi Mediu.

Po ashtu, u ra dakord që në të ardhmen ky debat të zhvillohet me shumë të rinj e të reja që janë aktualisht jashtë Shqipërisë dhe për t’i bërë ata pjesë të rrugëtimit dhe ndërtimit të Shqipërisë Europiane.