Shisnin “mbretin” e verërave te miliarderët e Lindjes, zbulohet mashtrimi ndërkombëtar

Në qoftë se bota alkoolike e verërave do të ishte një mbretëri, ndoshta Sassicaia do të ishte sovrani i saj absolut. Një verë e plotë, me një ngjyrë të të kuqe rubin, e pangatërrueshme për ekspertët, si e kuqja e Ferrarit në automobilizëm, që është gjendur shpesh herë në majën e renditjes së verërave më të mira dhe të shtrenjta të botës, e prodhuar ekskluzivisht në një vresht të Toskanës italiane.  

Padyshim Milano nuk ka të bëjë aspak me verën elitare, por kur forcat e policisë mësynë në një kapanon në afërsi të metropolit verior të Italisë, gjetën mijëra shishe të pijes së shtrenjtë, identike me origjinalet, por tërësisht false.

Dy persona u arrestuan se kishin krijuar, në bashkëpunim me persona të tjerë nga Sicilia, Turqia dhe Bullgaria, një skemë mashtrimi ndërkombëtare, ku persona të kamura nga vende si Rusia, Kina dhe Korea e Jugut blinin shishe të etiketuara si Sassicaia, të ambalazhuara në mënyrë perfekte, me çmime rreth 70% më të lira nga çmimi zyrtar.

Çmime gjithsesi të kripura, që shkonin deri në 500 euro për shishe, aty ku etiketa tregonte vite që gjykohen të jashtëzakonshme për cilësinë e verës. Mashtruesit shisnin rreth 700 kuti në muaj, me një përfitim rreth 400 mijë euro.  

Gjithçka ishte perfekte, nga kutitë me çdo detaj të gdhendur, që prodhohej në Bullgari, nga shishet e vjetruara që vinin nga Turqia dhe etiketat që kishin peshë dhe detaje identike me origjinalin.  

Por kishte diçka që nuk shkonte. Vera në vetvete, natyrisht, ku aristokratikja toskane zëvendësohej me një verë relativisht të mirë, por aspak mahnitëse që vinte nga Sicilia, dhe që mundohej të ngjasonte në shije dhe ngjyrë me “mbretin” e verërave italiane.