Statistikat e punësimit, ish-drejtoresha e INSTAT: Duhet të nxitet sigurimi

Ish-drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, deklaron që statistikat mbi të punësuarit në bujqësi nuk pasqyrojnë një situatë reale të tregut të punës, edhe pse bazohen mbi udhëzimet e Eurostat.

Sipas saj, ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes nxitjes së sigurimit për të vetëpunësuarit në bujqësi.

“Ky është një numër shumë i lartë, i cili ndikon shumë te numri i të punësuarve. Nuk kemi ekonomi bujqësore të mirëfilltë, por kemi familje që merren me bujqësi. Ky është problemi që kemi ne, ndërsa vendet e tjera janë të mirë-organizuara. Pastaj, nuk duhet harruar që Shqipëria është një vend bujqësor. Po të shikojmë GDP-në, prodhimi bujqësor zë rreth 20% që nuk është pak. Në numrin e të papunëve të INSTAT këto persona nuk figurojnë.

Kjo shifër është e bazuar vetëm në një anketë dhe nuk është se ata janë të regjistruar. Ndërkohë, të siguruar, për vitin 2019 janë vetëm 61 persona. Duhet të nxitet me çdo mënyrë sigurimi. Nëse këta të vetëpunësuar do të arrijnë të siguroheshin, atëherë do të kishte një shifër më të saktë administrative të të punësuarve në bujqësi”, u shpreh Nurja.