Transportonin 10 emigrantë të paligjshëm, kapen 3 persona

Policia e Korçës ka goditur dy raste të tjera të transportimit të emigrantëve të paligjshëm për të kaluar kufirin kundrejt përfitimit. Në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre edhe një femër. Ata janë Fatjona Vuçaj, 25 vjeçe, Dhimitri Beba 24 vjeç dhe Abigel Kola 29 vjeç, të cilët u arrestuan gjatë transportimit të 10 emigrantëve.

Sipas Policisë, 29-vjeçari Kola u pikas te “Kryqëzimi i Libonikut”, në Maliq, por nuk iu bind fillimisht urdhrit të policisë për të ndaluar. Në makinën e tij ndodheshin 3 emigrantë të paligjshëm.

“29-vjeçari nga Divjaka është konstatuar në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, Maliq, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, të cilët i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por A. K. nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar. Pasi janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij, gjatë kontrollit që forcat e Policisë ushtruan në mjetin e 29-vjeçarit, gjetën tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, ky shtetas iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, njofton Policia.

Ndërsa, 25-vjeçarja nga Durrësi, dhe 24-vjeçari nga Tirana u konstatuan në Pogradec, por u kapën në Memlisht pasi nuk iu bindën urdhrit të Policisë. Brenda makinës së tyre ndodheshin 7 emigrantë.

“25-vjeçarja është konstatuar në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, por kjo e fundit nuk iu është bindur urdhrit të tyre. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e saj në afërsi të fshatit Memlisht, ku brenda mjetit iu gjetën shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me shtetasin Dh. B., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin e Policisë”.