Boshllëku në sistem: KLGJ thirrje gjyqtarëve, Gjykatat e Apelit në prag bllokimi

Këshilli i Lartë Gjyqësor i bën thirrje publike gjyqtarëve të kandidojnë për pozicione të përkoshme në Gjykatat e Apelit. Skema e delegimit duket se do të shërbejë si kamerdare shpëtimi për Apelet në prag ngërçi për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Por nga ana tjetër, interesi i gjyqtarëve për t’u promovuar në pozicionet vakante në Apel është i vakët.

Pas bllokimit të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për shkak të gjyqtarëve të larguar nga procesi i vetingut, në zgrip të ngërcit funksional janë gjykatat e Apelit në vend. Për këtë shkak, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka bërë një thirrje publike gjyqtarëve të kandidojnë për t’u deleguar në gjykata të tjera nga ajo ku ushtrojnë detyrën.  Pasi merr pëlqimin e tyre, KLGJ-ja vendos delegimin e tyre të përkohshëm në afate nga 6 muaj deri në një vit. Burime pranë KLGJ-së bënë me dije se emergjent është delegimi i gjyqtarëve në Gjykata të Apelit, që nuk kanë as minimumin e një trupe gjykuese prej tre anëtarësh. E tillë është Apeli i Korçës, i mbetur aktualisht me vetëm 1 anëtar në detyrë.

Nga ana tjetër, në thirrjen publike KLGJ-ja kujton kandidatët që shfaqin interes për Gjykatat e Posaçme, të japin pëlqimin për përgjimin e komunikimit telefonik të tij dhe familjarëve, si edhe kontrollin e llogarive bankare. Por ndërsa “mali” i vendeve të lira në gjyqësor lartësohet, interesi i gjyqtarëve për t’u promovuar nuk shkon në të njëjtin drejtim. Aktualisht KLGJ-ja vazhdon procedurat për plotësimin me gjyqtarë të 20 vendeve në gjykatat e Apelit në vend, 12 në Apele të zakonshëm, 2 në Apelin Administrativ dhe 6 në Apelin e Gjykatës së Posaçme.

Sipas të dhënave për pozicionet e lira në Apelin e Shkodrës, Korçës dhe Gjirokastrës nuk ka pasur asnjë kandidat, çka është bërë shkak për rihapjen e garës. Ndërkohë për 6 vendet e lira në Apelin e Posaçëm kanë kandiduar 4 gjyqtarë, ndërsa për 6 pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme kanë shfaqur interes vetëm 2 kandidatë.