Nuk besonte te pandemia, ndërron jetë “ylli” i Instagramit

Ishte një nga personazhet më të ndjekura në Instagram, modeli dhe eksperti i “fitnesit” ukrainas Dmitry Stuzhuk,  me më shumë se 1 milion ndjekës, jo vetëm nga vendi tij.

Fiziku perfekt, jeta luksoze dhe filozofia e jetës së shëndetshme e kishin shndërruar në një personazh të njohur në rrjetin social. Por në asnjë nga qindra fotot që postonte nuk shihej prania e ndonjë maske, edhe pse vendi i tij regjistron pothuajse 300 mijë të infektuar dhe 5600 viktima. Kjo sepse Stuzhuk nuk i besonte alarmit për COVID-19, madje e injoronte dhe dyshonte për ekzistencën e tij.

Gjithçka ndryshoi në mënyrë të befasishme dhe tragjike pas një udhëtimi në Turqi. Djaloshi 33-vjeçar u gjet fillimisht pozitiv dhe më pas u shtrua në spital për vështirësi në frymëmarrje.

Vetë Stuzhuk 3 ditë më parë shokoi fansat e tij me një foto ku paraqitet me resipirator, dhe ku kërkon falje për nënvlerësimin e situatës. “Dua të shihni që jam i sëmurë, paralajmëroj të gjithë, nuk është aspak e lehtë. Është diçka e rëndë, nuk kalon shpejt”, ishin fjalët  e tij.

Sot, ish-gruaja e tij, që i kishte dhënë edhe tre fëmijë, zyrtarizoi vdekjen e Stuzhuk, duke pohuar gjendjen e rëndë të orëve të fundit.