Rama shigjeton politikën europiane: Nuk ka krim shqiptar, është krim i organizuar ndërkombëtar

rama mynih 1100x620

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në në Forumin “Europa Park” në Mynih, deklaroi se nuk ka krim shqiptar, por ka krim të organizuar ndërkombëtar, dhe çdo vend që aspiron për të hyrë në BE do të përballet me të tilla akuza.

Rama shigjetoi politikën europiane për paraqitjen si të tillë, kur solli shembullin e një artikulli të publikuar në mediat e huaja për shkatërrimin e një bande shqiptarësh trafikantë.

“Kur bullgarët donin të hynin, gazeta shkruante që do t’i vrisnin. Çdo vend që i qaset derës së unionit do të përballet me këto. Nuk ka krim shqiptar, krimi i organizuar është ndërkombëtar. Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin janë të shkëputura? Në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe. Një gazetë me titull të madh se një bandë shqiptarësh ishte shkatërruar. 9 ishin arrestuar, 3 holandezë, një belg, dy nga Polonia, dikush nga Maroku dhe në të ishin dy shqiptarë 65-vjeçarë që ruanin magazinat ku kultivohej droga, por për politikën ishte mirë që ta paraqiste si bandë shqiptare”, deklaroi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka kërkuar nga forumi Europa Park në Mynih nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tha se pozicioni i Shqipërisë është i çuditshëm në këtë proces, ndërsa i ftoi të vizitojnë vendin tonë, pasi është më i bukuri dhe më i sigurti në Evropë.

“Nuk mund të imagjinoj një shtëpi që mund të funksionojë mirë nëse nipat e vegjël i vënë veto gjyshërve. Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të verbuar nga dashuria për Evropën, por ajo thotë se do të martohet me ne, por si mund të martohemi kur Evropa nuk na flet. Negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të saj, por negociata është çka është reale për ne. T’i privosh vendet nga ky instrument është pa kuptim. Është momenti i duhur për t’ju thënë ejani të vizitoni Shqipërinë, është larg 1 orë e disa minuta. Nuk do të pendoheni. Është vend i bukur, për të huajt është vendi më i sigurt në Evropë”, shtoi Rama.