Vrasja e mësuesit francez nga i riu çeçen, dhjetëra mijëra protestues në Francë

Dhjetëra mijëra persona kanë manifestuar sot në Paris dhe në qytete të ndryshme të Francës për të protestuar dhe kujtuar mësuesin Samuel Paty, i vrarë barbarisht nga një i  ri radikal sepse kishte treguar karikaturat e profetit Muhamed në klasë.

Protestuesit mbanin pankarta të ndryshme si “Shkolla po qan por nuk ka frikë”, ose “As urrejtje, as frikë, kjo është fitorja jonë”, duke marrë një fjali të shkrimtarit Albert Camus.  

Profesori i vrarë jepte lëndën e histori-gjeografisë në liceun e “Bois d’Aulne” në Conflans-Saint-Honorine. Disa ditë më parë ai raportohet të ketë nxjerrë disa karikatura të profetit Muhamed gjatë kursit për lirinë e të shprehurit.

Vrasësi, një 18-vjeçar çeçen që sapo kishte marrë statusin e refugjatit së bashku me familjen e tij, pasi i kishte prerë kokën mësuesit me një thikë kishte postuar në rrjetet sociale, duke motivuar vrasjen me ofendimin ndaj profetit.  Autori u vra më vonë nga forcat e policisë.

Autoritetet francez kanë arrestuar ndërkohë 11 persona, 4 prej të cilëve familjarët e të riut. Mësohet që një motër e ekzekutorit në vitin 2014 ishte bashkuar me ISIS në Siri.  

Ngjarja ka marrë dënimin e qartë të gjithë autoriteteve islamike në Francë, ku imamët kryesorë të mbledhur sot urgjentisht  e kanë cilësuar aktin si “një vrasje shokuese të një bashkatdhetarit tonë nga një terrorist në emër të një besimi të paqartë”.