SHBA tenton paqen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, takim, të premten, në Uashington

armenia pompeo 1100x620

Administrata Trump tenton një tjetër marrëveshje që mund të jetë historike, dhe sigurisht e dobishme në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Sipas mediave amerikane, ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë, dy vende që po përballen ushtarakisht për kontrollin e krahinës së Nagorno-Karabak, do të fluturojnë të premten në Uashington ku do të takojnë Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.   

Për momentin nuk flitet për një takim të përbashkët, por për dy takime të ndryshme, ku fillimisht Pompeo do të takojë kolegun e tij nga Baku, Jeyhun Bayramov, dhe më pas me atë nga Jerevani, Zohrab Mnatsakanyan.

Por rasti duket shumë i favorshëm për mos t’u shfrytëzuar nga Trump, për t’i dhënë një shtysë bisedimeve për paqe në një javë ku çdo sukses matet me miratimin e opinionit publik, që natyrisht përkthehet në vota.  

Rikthimi i konfliktit në Nagorno-Karabak, pas luftës në fillimin e viteve ’90,  ka shkaktuar tashmë qindra viktima nga fillimi i muajt të kaluar, ku të dy shtetet mbështeten ushtarakisht nga dy fuqi si Turqia dhe Rusia, që furnizojnë me mjete edhe të sofistikuara respektivisht Azerbajxhanin dhe Armeninë.   

Më 10 tetor, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Armenia dhe Azerbajxhani kanë dakordësuar, me të, termat e një armëpushimi, por nga ajo ditë dy vendet kanë akuzuar njëri tjetrin për thyerje të shumta të marrëveshjes së brishtë, dhe bombardimet në frontet e ndryshme po vijojnë duke regjistruar dhjetëra viktima të reja.