Skema e pensioneve, thellohet deficiti në 350 milionë euro
Deficiti i skemës së pensioneve arriti në 350 milionë euro, niveli më i lartë i tre viteve të fundit. Kjo është diferenca midis kontributeve që paguajnë individët për sigurime shoqërore kundrejt përfituesve, ose ndryshe shpenzimeve që Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën për pensionet dhe skemat e tjera të veçanta.
Në total për vitin e kaluar, nga skema e detyrueshme u mblodhën 82,7 miliardë lekë, kundrejt shpenzimeve totale prej 126 miliardë lekësh. Për një deficit prej 43,3 miliardë lekësh. Ky është niveli më i lartë i deficitit të skemës së sigurimeve që prej vitit 2016. Sipas përllogaritjeve, vetëm financimi i këtij deficiti i kushton vendit 2,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto çdo vit, teksa njëkohësisht bëhet pengesë për çdo politikë të rritjes së pensioneve.
Kjo situatë është thelluar përgjatë këtij viti, kur për shkak të pandemisë janë larguar nga skema e sigurimeve rreth 48 mijë persona. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit, numri mesatar i kontribuesve në skemë nga administrata shtetërore, biznesi dhe të vetëpunësuarit, u ul në 673 mijë persona kundrejt 721 mijë për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pakësimi i kontribuesve kundrejt shtimit të përfituesve e bëjnë skemën e sigurimeve shoqërore të varur thuajse tërësisht nga buxheti i shtetit. Në këto kushte, paratë e taksapaguesve shkojnë për pagesën e pensioneve, në vend që të investohen në shërbime apo përfitime shtesë.