Deficiti i skemës së pensioneve, Sulka: Të shtyhen punonjësit në të zezë për t’u formalizuar
Deficiti i skemës së pensioneve, Sulka: Të shtyhen punonjësit në të zezë për t’u formalizuar
Qeveria shqiptare i ka shteruar mundësitë për të ngushtuar hendekun e skemës së sigurimeve shoqërore, pas rritjes së pagës minimale, rritjes graduale të moshës së daljes në pension dhe luftës ndaj informalitetit.
Në këto kushte, ish-zëvendësministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kastriot Sulka, shprehet se zgjidhja e vetme është nxitja për të siguruar punonjësit në të zezë.
“Pjesa e atyre që nuk kemi kapur deri më tani, duhet përfshirë, krahas ndërgjegjësimit, duke zbutur masat e kontributit”, thotë ai për A2.

Një tjetër mundësi sipas Sulkës, është kanalizimi i një pjese të kontributeve të qytetarëve në një fond pensionesh, që mund të blejë bonot dhe obligacionet e shtetit dhe të përfitojë nga interesat.
“Një forme tjetër mund të jetë që një kuotë e kontributeve shoqërore që derdhim mund të kalohen në fonde të caktuara, siç ndodh edhe në Kosovë”, vijon Sulka.

Në raportin e buxhetit afatmesëm të Ministrisë së Financave llogaritet se skema e sigurimeve shoqërore do të kërkojë 1.3 miliardë euro subvencione nga buxheti vetëm për tri vitet e ardhshme.