Kampionati merr dritën jeshile. Bojkoti përfundon të premten, plotësohen tri kërkesa të Ligës

Bojkoti i futbollit do të përfundojë të premten. Ky është afati i përcaktuar nga Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova dhe negociatori i qeverisë, deputeti Fidel Ylli, pas diskutimit në Ministrinë e Financave.

“Problemet e Ligës thuajse janë të zgjidhura, kemi ngelur vetëm te problemi i Ligjit të Sponsorizimit. Edhe ministrja ishte shumë bashkëpunuese sot. Kërkohet një konfirmim edhe nga qeveria për faljen e gjobave. Nëqoftëse do të bëhet kjo, do të bëhet me një ligj specifik në Parlament. Kërkon një vendim politik, nuk mund të bëhet një falje vetëm për Ligën apo për futbollin, por do bëhet për të gjitha bizneset. Ne mendojmë që përgjigjja përfundimtare do të jepet ditën e premte, mbasi ne të bisedojmë me kryeministrin. Do t’i japim zgjidhje përfundimtare gjithë këtyre problemeve që Liga ka shprehur”, tha Ylli.

Në takimin e dytë u miratuan tre nga katër kërkesat e Ligës, ndërsa e vetmja çështje që do të zgjidhet në ditët e ardhshme lidhet me ligjin e sponsorizimeve, ku futbolli mbështet variantin e propozuar prej tij, për të cilin besojnë se është më i plotë se ligji aktual.

“Është një hap pranë zgjidhjes. Problemet që u diskutuan ishin në 2 pjesë, në 3 pikat më pak të rëndësishme, për të cilat gjetëm gjuhën e përbashkët dhe do të kemi një prononcim nga Ministria e Financave së shpejti. Ndërkohë që për Ligjin e Sponsorizimit që është dhe “thembra e Akilit” e gjithë kësaj situate, debatuam duke propozuar dhe gjetur atë që do të jetë më e mirë. Ditën e premte do të kemi një përgjigje përfundimtare për një zgjidhje e cila do të pranohet edhe nga komuniteti i sportit dhe futbollit për të filluar një epokë të re. Futbolli do të fillojë mbasi ne të kemi një përgjigje e cila do të kënaqë kërkesat tona. Nuk mund të them që do të fillojë këtë javë apo javën tjetër. Nuk ka një variant të miratuar, në tavolinë janë 2 variante, ligji ekzistues i sponsorizimeve dhe ai i propozuar nga ne. Ne këmbëngulim te varianti jonë. Akoma nuk ka dakordësi. Variantin, Ministria do t’ia propozojë kryeministrit. Përgjigjen përfundimtare e presim nga kryeministri. Varianti që ka kërkuar Liga ka brenda elasticitetin për t’u diskutuar. Nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit. Ministria do të paraqesi shumë shpejt qëndrimin e saj për zgjidhjen e të trija pikave, që janë të pranueshme nga komuniteti i sportit. Bojkoti vazhdon deri në përgjigjen përfundimtare që të kënaqë kërkesat tona”, deklaroi Libohova.

Pas dakordësisë për zgjidhjen e kërkesave, propozimet do t’i paraqiten, ditën e premte, kryeministrit Edi Rama për miratimin final. Ndërkohë, në orët në vazhdim, kreu i qeverisë do të takohet me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të vendosur piketat për zgjidhjen përfundimtare.

4 kërkesat e futbollit:

1. Ndryshime në ligjin për sponsorizimet duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatim-fitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorat, çka e vërteton edhe realiteti i deritanishëm.

2. Përfshirjen e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% , si bujqësia dhe turizmi.

3. Faljen e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të klubeve.

4. Zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatimfitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 vite në 10 vite.