Brexit, rinisin të enjten në Londër negociatat BE- Britani e Madhe

bashkimieuropian 1100x620

Rihapen negociatat midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe për marrëdhëniet pas Brexit. Ekipi negociator evropian do të jetë në Londër, të enjten. Kjo u njoftua, në Twitter, nga zëdhënësi i Komisionit të BE, për Brexit, Daniel Ferrie. Dy kryenegociatorët Michel Barnier dhe David Frost kanë vendosur disa piketa për rinisjen e negociatave, të cilat do të “intensifikohen” gjatë fundjavës.

Sipas parimeve të vendosura nga Barnier dhe Frost, negociatat do të bazohen në tekstet ligjore të të dyja palëve, derisa të gjendet një qasje e përbashkët. Pikat e konvergjencës do të kërkohen, menjëherë, dhe një lloj “sekretariati i përbashkët” do të ngrihet për të finalizuar një tekst të konsoliduar, por “asgjë nuk do të bashkërendohet derisa të gjithë të bien dakord”. Faza fillestare e negociatave do të jetë në Londër, nga 22 deri në 25 Tetor dhe do të vazhdojë në Londër ose Bruksel, ose përmes videokonferencës, në varësi të asaj që do të lejojë situata Covid-19.