Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Inceneratorët, Shoqata e Ricikluesve: Problem, ndarja në burim, ndërprerja e importeve dëmton industrinë e riciklimit

Nga A2 CNN
21 Tetor 2020, 21:12 | Ekonomi
Inceneratorët, Shoqata e Ricikluesve: Problem, ndarja në burim,

Kryetari i Shoqatës së Ricikluesve, Bardhyl Baltëza, deklaroi në studion e A2 Business se ndarja në burim është një nga problemet kryesore për riciklimin. Sipas tij, asnjë bashki nuk ka ndërmarrë iniciativën për t’i ndarë mbetjet urbane në dy rryma, një kusht ky i komunitetit europian.

Një tjetër dëm për industrinë e riciklimit, e cila sipas politikave europiane duhet të zhvillohet në masën 65-70, thekson Baltëza, është edhe ndërprerja e importeve urbane.

“Politika e Komunitetit Europian është të zhvillohet 60-70% industria ricikluese. Mbetjet të përpunohen deri në masën 65-70, si mund të bëhet kjo gjë, kur inceneratori i Tiranës ka kapacitet 1 mijë ton në ditë? Tirana nuk prodhon 1 mijë ton në ditë. Me keqardhje industria e riciklimit ka pësuar shumë dëme me ligjin e ndërprerjes së importeve urbane.

Në të gjithë strategjinë shqiptare që nga fillimi i vitit 1995 ne kemi vënë në strategjinë kombëtare ndarjen e mbetjeve urbane në dy rryma; të riciklueshme dhe në pjesën tjetër lëndët organike.

Ndarja në burim; përzierja shkatërron mbetjet, pasi ato që janë përzier nuk mund të riciklohen. Asnjë bashki nuk ka marrë iniciativën ta ndajë në dy rryma dhe ky është problem me komunitetin europian dhe nuk do na hapen kapitujt pa plotësuar kushtet”.

Baltëza ia faturon përgjegjësinë projektuesve të inceneratorit të Tiranës, pasi sipas tij kryeqyteti nuk prodhon 1 mijë ton mbetje.

 “Tirana nuk prodhon as 600 tonë në ditë, ku do t'i gjejë 1 mijë tonë në ditë dhe këtu janë përgjegjës ata që e kanë trajtuar në këtë formë të padenjë dhe joshkencore këtë punë. Nuk mund të plotësohen 1 mijë ton në Tiranë e Durrës”.

Nga ana tjetër, eksperti i politikave mjedisore, Seit Shallari, theksoi se problemi më i madh që ka vendi janë mbetjet. Sipas tij, përveç rritjes së riciklimit duhet të pastrohet Shqipëria nga mbetjet, duke filluar me ndarjen në burim dhe edukimin e njerëzve. Që të flitet për riciklim të mbetjeve në masën 60% duhen edhe 30 vite, thotë ai.

“Problemi për mua janë mbetjet që kanë mbytur Shqipërinë. Situata është krejt ndryshe nga BE, ne jemi 4 dekada me vonesë, dhe që të diskutojmë ne riciklimin 60% do të na duhet edhe 30 vjet. BE e ka nisur në vitet ‘90 dhe është atje ku është sot. Të rritet riciklimi, por më e rëndësishme është të pastrohet Shqipëria. Ende në Shqipëri nuk është përmbyllur cikli i landfilldeve, ne nuk sigurojmë akses në një landfilld të sigurt. Ajo që nuk dimë ne është kostoja për shëndetin, kimikate në plehra vrasin në mënyrë të heshtur fëmijët tanë.

Ngritja e sistemit të riciklimit, jo për të futur njerëzit në kazane dhe për të ndarë mbetjet, për të ngritur atë zinxhir fillon me edukimin e njerëzve. Duhen vite, është pushteti vendor. Nëse nuk paguhet për shërbimin e mbetjeve, nuk pastrohet Shqipëria. Për të marrë mbetjet e pastra duhet një sistem që fillon me ndarjen në burim”.

Një tjetër problem që ngriti kreu i shoqatës së ricikluesve, ishte dhe ndalimi i eksportit të letrës. Sipas tij, në Itali shitet 35 euro toni i letrës, ne e blejmë 70-80 euro tonin.

“Të lejohen këto grupe e ndërmarrje t’i shesin në Shqipëri, të ndalohet eksporti. Ka 3 ndërmarrje në Shqipëri që eksportojnë letër. Është i vetmi vend që nuk importon dhe eksporton ndërkohë që Evropa e ka ndaluar eksportin. Në Itali shitet 35 euro toni i letrës ne e blejmë 70-80 euro tonin e letrës”, tha Baltëza.

Për ekspertin Shallari, ngritja e një sistemi riciklimi kërkon kohë dhe angazhimin e institucioneve, ndryshimin e qëndrimeve tona ndaj mbetjeve. “Ne duhet t’i themi stop ndotjes së vendit”, përfundoi ai.

A2 CNN Livestream

Dita jonë