Në Kosovë ishin të pandashëm, qeni endacak dhe ushtarakja bashkohen në SHBA

Mikesha qeni 1100x620

Ishin parë rastësisht në një nga rrugët e Kosovës, duke rënë në dashuri me shikim të parë. Njëra ishte një ushtarake amerikane, tjetra një endacake e vogël dhe leshatore, e quajtur “Mikesha”. Përgjatë gjithë misionit të rreshteres Erin Guthrie në Kosovë, në mision paqeruajtës, ushtari dhe qeni endacak nuk u ndanë asnjë ditë, duke plotësuar vetminë e njëra-tjetrës.  

Por kur Erin u rikthye në Oregon, ku ndodhet Garda Kombëtare me të cilën është angazhuar, ritakimi mes tyre u duk sikur do të mbetej vetëm në ëndërr.

Por historia erdhi në veshët e një organizate amerikane, Paws Of War, që merret specifikisht me mundësimin e ribashkimit të kafshëve me ushtarët amerikanë që i adoptojnë në misionet e tyre kudo në botë.

Rreth 6 mijë dollarë u mblodhën online për të mundësuar fillimisht kërkimin, dhe më pas transportin e Mikeshës në Oregon, ku u ritakua me ushtaren e saj të preferuar, për mos ta braktisur më.

“Isha nervoze, mendoja që nuk do të më njihte më, por filloi të më afrohej sikur mos të kishim humbur asnjë ditë bashkë”, deklaroi e emocionuar dhe mirënjohëse, Erin Guthrie.