PD i përgjigjet Ramës për kandidatët: Procesi ynë model për rajonin. Kandidatët e PS i përzgjedh Niçja i Shijakut

bardhi 1100x620

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Duke e konsideruar procesin një model për rajonin, sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi shprehet se Rama nuk e di çfarë do të thotë votë, as nga anëtarësia e partisë, as nga qytetarët, sepse karriera e tij është e bazuar te krimi, jo te vota.

“E pashë Edi Ramën shumë të shqetësuar sot nga procesi më demokratik i këtyre 30 vjetëve të ndodhur në ndonjë parti në Shqipëri, përzgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia e PD. Edi Rama është i shqetësuar, sepse e di që procesi është i vërtetë dhe ka angazhuar me mijëra e mijëra qytetarë, që janë gati të votojnë ndryshimin në 25 prill.

Edi Rama vetë nuk e di çfarë do të thotë votë, as nga anëtarësia e partisë, as nga qytetarët, sepse karriera e tij është e bazuar te krimi, jo te vota. Edi Rama u refuzua nga socialistët, të cilët ia rrëzuan platformën për kryetar më 8 tetor 2005, por ai u emërua Kryetar i Partisë Socialiste përmes një procesi korruptiv. “Një pallat, një votë” ishte modeli me të cilin Edi Rama kapi PS dhe prej atëherë nuk lejon të votohet më në PS”.

Bardhi thekson se qytetarët do të votojnë për PD dhe kandidatët e saj përfaqësues, sepse kandidatët e Ramës do t’i përzgjedhë përsëri Niçja i Shijakut nga burgu.

“Zgjedhja për qytetarët është e thjeshtë. Ata do të votojnë për PD dhe kandidatët e saj përfaqësues, që i kanë propozuar dhe votuar vetë paraprakisht, që kanë kaluar filtrin e verifikimit nga partia dhe qytetarët, në vend të listës 3D të deputetëve të PS që do t’i përzgjedhë përsëri Niçja i Shijakut, por kësaj here nga burgu”.

Reagimi i PD-së vjen pas deklaratës së Ramës nga Elbasani ku e cilësonte truk dhe mungesë ndershmërie dhe kurajoje, procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në PD.

Ndërkaq, Bardhi i kujton Ramës deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar në këtë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, ku sipas tij i sugjerohet kreut të PS-së që ta marrë si shembull.