
Kryeministri Edi Rama ka shprehur keqardhjen për refuzimin e naftëtarëve për të ndërprerë grevën e urisë në Ballsh. Përmes një postimi në Twitter kreu i qeverisë përsëriti thirrjen për të ndaluar grevën dhe për të nisur bisedimet.
“Keqardhje për refuzimin për të ndërprerë grevën në Ballsh, sepse pa u ndalur greva nuk do të nisë dot asnjë bashkëbisedim!Ideja se duke u futur në grevë mund t’i faturosh qeverisë kusuret e një kompanie private është shumë e gabuar. Me t’u ndalur greva ulemi bisedojmë vëllazërisht” –shkruan Rama.
Kjo është thirrja e dytë e kryeministrit Rama brenda ditës për naftëtarët që të ndërpresin grevën dhe të ulen në bisedime.