Delegacioni shqiptar mbërrin në Siri për të kërkuar riatdhesimin nga kampi Al-Hawl

Një delegacion zyrtar shqiptar i kryesuar nga konsulli i nderit të Shqipërisë në Liban Mark Gharib udhëtoi në Siri për çështjen e riatdhesimit të nënave dhe fëmijëve shqiptarë të mbetur në kampin famëkeq Al-Hawl. Takimi ku të pranishëm ishin dhe përfaqësuesit e antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano dhe Indrit Doda, u pritën në departamentin e marrëdhënieve të jashtme aty ku diskutuan dhe çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve.

Prej gati 1 muaji, strukturat e antiterrorit shqiptar vijojnë të qëndrojnë në Liban për të bërë të mundur rikthimin e nënave dhe fëmijëve shqiptarë. Ndërkohë, për të njëjtën çështje foli dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në Ministerialin e mbajtur online të Ministrave të Brendshëm e të Drejtësisë, të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Lleshaj tha se raporti i fundit i Komisionit Europian, thotë se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndërsa qeveria shqiptare e konsideron riatdhesimin e  fëmijëve një mjet të domosdoshëm.

1 vit më parë, A2 arriti të shkonte në Siri ku gjeti 80 nëna dhe fëmijë të mbetur në kampin Al-Hawl. Prej kohësh familjet e tyre në Shqipëri kërkojnë riatdhesimin e të afërmve të tyre.