Ekonomistja e Bankës Botërore: Ndihma ndaj shtresave vulnerabël nuk është e plotë

Hilda Shijaku, ekonomistja e lartë e Bankës Botërore, u shpreh në një intervistë me Producenten Ekzekutive për Biznesin në A2, Aurora Sulçe, se shqetësim mbeten të punësuarit në të zezë, të cilët janë prekur nga kriza e pandemisë, por nuk kanë përfituar ndihmë.

“Pandemia po vazhdon dhe nuk e kemi të qartë se cilat do të jenë efektet në tregun e punës. Mbulimi i shtresave më vulnerabël sigurisht që nuk është i plotë. Punësimi informal është i vështirë për t’u kapur dhe për t’u targetuar nga skemat ekzistuese. Ne rekomandojmë që të forcohen rrjetet e mbështetjes sociale në Shqipëri, që të përfshihen sa më shumë shtresa në nevojë. Ulja e informalitetit është një drejtim ku duhet të punojnë qeveritë. Ky është i vetmi instrument për të pasur një skemë të targetuar drejt”, theksoi Shijaku.

Sipas ekonomistes, “informaliteti nuk është vetëm në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, por edhe në drejtim të mbrojtjes së shtresave vulnerabël”.

“Kjo është sfidë afatgjatë, me të cilin Ballkani përballet prej shumë kohësh. Është diçka që kërkon strategji të mirëfilltë nga institucionet. Ky është një moment për të menduar për uljen e informalitetit dhe cila do të jetë strategjia për kthimin në sektorin formal të punësimit të individëve”, shtoi Hilda Shijaku.