Me lekët për masterin, bëri kursin e gjermanishtes

“Nuk mendoj të rikthehem në Shqipëri për momentin”. Klevis Domi prej 18 muajsh po jeton dhe punon si fizioterapist në qytetin e Giessen të Gjermanisë. I zhgënjyer nga realiteti me fatin e bluzave të bardha, ai vendosi të sakrifikojë paratë e kursyera për masterin, duke nisur të mësojë gjuhën gjermane. Rruga drejt emigrimit tashmë ishte e pashmangshme për të.

“Punova 5 muaj në Shqipëri si fizioterapist në një ekip futbolli. Më paguan një muaj vetëm. Duke parë mundësitë e pakta, vendosa të filloj kursin e gjermanishtes. Kushtoi afro 2 milionë lekë të vjetra, por më mirë kursin sesa të vazhdoja masterin”, tregoi i riu për A2.

Klevis Domi

Kufizimin e mundësive të punësimit në Shqipëri, Klevisi e sheh të lidhur me ndarjen e kërkesës për studim dhe asaj që ofron tregu i punësimit. Ndërsa krahasimin me Gjermaninë e fokuson te marrëdhënia financiare.

“Në momentin kur në Shqipëri dalin 300 fizioterapistë në vit për 2 milionë banorë, mundësit e punësimit janë të pakta. Në Shqipëri nëse bën një punë me kohë të plotë, marr profesionin tim, paga është 400-450 mijë lekë të vjetra, ndërsa në Gjermani rroga minimale neto është 1300-1500 euro neto dhe nëse merr një shtëpi 500 euro, të ngel edhe për jetesë”.

Braktisjen e spitaleve në Shqipëri nga mjekët dhe specializantët, sipas kryetares së Federatës së Mjekëve në Europë, Aurora Dollenberg, lidhet edhe me pasigurinë e vendit të punës.

“Ka ndikim të madh pozicioni partiak te bluzat e bardha. Gjithmonë ekziston frika se nëse janë përkrah partisë në pushtet mund të pushohen nga puna. Pra është një emigrim social sesa ekonomik”, shprehet Dollenberg.

3 mijë mjekë shqiptarë janë larguar nga vendi. Pavarësisht kufizimit nga pandemia, ky fenomen vijon të jetë prezent. “Deri tani, mund të themi se në dhjetëvjeçarin e fundit kemi 3000 mjekë të larguar nga vendi, 1000 janë në Gjermani. Pandemia e frenoi pak largimin e tyre për shkak të mbylljes së kufirit”.

Aurora Dollenberg

Dollenberg i bënë thirrje qeverisë të nxisë qëndrimin e mjekëve në Shqipëri pasi mund të arrihet në pikën e mungesës së shërbimit mjekësor në një të ardhme të afërt.