PE vlerëson opozitën bjelloruse me çmimin “Sakharov”

Parlamenti Europian vlerësoi opozitën demokratike bjelloruse me çmimin vjetor për të drejtat e njeriut Sakharov, në mbështetje të protestave të vendit kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht, të cilat sipas ndërkombëtareve dhe opozitës ishin të manipuluara. Parlamenti përmendi 10 pjesëtarë të opozitës teksa njoftoi çmimin, përfshirë kandidaten kryesore opozitare për presidencën Sviatlana Tsikhanouskaya dhe autoren fituese të çmimit Nobel Svetlana Alexievich.

“Është një nder i madh t’iu informojmë se grupet politike të Parlamentit Europian vendosën t’i japin çmimin Sakharov për lirinë e mendimit, opozitës demokratike në Bjellorusi, e përfaqësuar nga këshilli i koordinimit dhe një inciativë e grave të guximshme”, tha David Sassoli.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit bjellorus Minks, çdo fundjavë që prej zgjedhjeve, pavarësisht brutalitetit policor dhe arrestimeve, për të denoncuar atë që e shohin si përpjekje të presidentit Aleksandër Lukashenko për të zgjatur më tej sundimin 26-vjeçar.

BE, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Lukashenkon se ka mbërthyer pushtetin përmes zgjedhjeve të korruptuara, duke burgosur kundërshtarët e duke shtypur median e pavarur.

Çmimi Sakharov për lirinë e mendimit i cili mban emrin e disidentit sovjetik, Andrei Sakharov, ndahet çdo vit. Mes fituesve të kaluar përfshihen presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, opozita demokratike në Venezuelë dhe aktivistja pakistaneze Malala Yousafzai.