Rikthehet “Përbindëshi i Detit Kaspik”

Në brigjet perëndimore të Detit Kaspik shfaqet një relikt që ngjan me një përbindësh gjigant uji. Është e vështirë të imagjinosh që ajo “krijesë” fluturon, por në fakt, dikur ka fluturuar vërtet.

Që nga ajo ditë ka kaluar shumë kohë dhe, pas më shumë se tre dekadash, “përbindëshi” po lëviz sërish. Në korrik të këtij viti, pas një operacioni që zgjati 14 orë, një flotë me pesë mjete lundruese arritën ta nxirrnin në breg avionin gjigant të mallrave.

Tani ai qëndron në breg, pranë qytetit të lashtë Derbent, në Republikën e Dagestanit. Avioni, i quajtur teknikisht Ekranoplan, peshon 380 tonë, dhe duket se do të kalojë sërish shumë kohë para se të lëvizë sërish. Ai është i fundit i llojit të tij që ka lundruar dhe fluturuar mbi Kaspik. I braktisur atje në vitet 1990, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, avioni ishte pjesë e flotës së bazës detare ushtarake që ndodhej rreth 100 kilometra në veri të Derbentit.

Ata që e nxorën nga fundi i detit shpresojnë që vendi të shndërrohet në një pikë turistike. Por jo vetëm kaq. Koncepti teknik i Ekranoplanit mund të rikthehet sërish në jetë, falë disa projekteve të përpunuara nga kompani ruse dhe amerikane.

Ekranoplanët janë një mjet hibrid mes avionëve dhe anijeve. Ata lëvizin mbi ujë, por faktikisht nuk e prekin kurrë atë. Organizata Detare Ndërkombëtare i klasifikon si anije, por në fakt, ata arrijnë të fluturojnë mbi ujë, në një lartësi deri në pesë metra, me një shpejtësi deri në 550 km/h.