Takimi i PS në inceneratorin e Elbasanit, Basha: Përdor forcën politike si mburojë për vjedhjen

Screenshot 1 13 1100x620

Takimi i organizuar nga Partia Socialiste në inceneratorin e Elbasanit nuk u la jashtë vëmendjes në konferencën e radhës për shtyp, të kryedemokratit Basha me gazetarët.

Sipas Lulzim Bashës, shfaqja në Elbasan e PS ishte një tregues sesi Rama e përdor si mburojë njerëzore forcën e tij politike për të mbrojtur këtë vjedhje.

“Në dijenin time është hera e parë që drejtuesi e mbledh forcën në një vendgrumbullimi plehrash. E gjithë forca në një vendgrumbullim plehrash. I mbledh për të mbrojtur aferën e tij korruptive. Shkoi në vendin e krimit për të mbrojtur krimin. Po vetëdemaskohet si përfitues i kësaj afere. Përgjigje tjetër nuk kam. Rama përdor forcën politike si mburojë njerëzore për të mbrojtur vjedhjen e shekullit. Është tregues për çdo shqiptar që koha e këtij njeriu ka mbaruar prej kohësh. Dhe pastaj fjalën do e ketë një drejtësi e pakapur”, tha Basha.

Basha komentoi dhe deklaratën e kryeministrit që e cilësoi opozitën si më të keqen e 30 viteve të fundit. Sipas kreut të PD, Rama kërkon ta tërheqë në një debat vulgar për të hequr vëmendjen.

“Unë e kuptoj nervozizmin dhe frikën e tij sepse e pret humbja e thellë dhe përballja me drejtësinë. I gjithë fjalori vulgar ka si qëllim të më tërheqë mua në një debat të zbrazët nga substanca. Unë nuk jam për t’u kacafytur me të. Kam pasur një përballje me 2011 dhe e kam mundur. Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Unë jam këtu për të treguar pse kanë ndodhur këto afera korruptive. Rama nuk ka përgjigje. Mos u çudisni me gjuhën e ulët dhe të baltës, e bën për të hequr vëmendjen. Sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që do e bëjë”, u shpreh Basha.