Greqia kufizon lëvizjen, Covid-19 jashtë kontrollit në Europë

Europa nuk po e kontrollon dot shpërthimin e ri të pandemisë së koronavirusit. Franca njoftoi se do të shtrijë masën e ndalimqarkullimit në mbi 12 rajone të tjera, ndërsa vendi raportoi një shifër rekord prej mbi 41 mijë e 622 rastesh dhe 162 vdekje, në 24 orë.

“Javët në vazhdim do të jenë të vështira dhe numri i vdekjeve do të vazhdojë të rritet. Nëse ne dështojmë në frenimin e pandemisë do të përballemi me një situatë të tmerrshme”, tha Jean Castex Kryeministër i Francës.

Masa e ndalimqarkullimit, nga ora 21:00 deri në 06:00, hyn në fuqi mesnatën e së premtes dhe mbi 46 milionë njerëz do të preken prej saj. Edhe shtetet e tjera europiane nuk po luftojnë dot shifrat gjithnjë e në rritje të infektimeve ditore.

Çekia, Franca, Italia, Spanja, Britania e Madhe, janë vatrat më të rëndësishme. Kriza e koronavirusit në Republikën Çeke është aq e rëndë, sa kryeministri Andrej Babis doli para gazetarëve gjatë një konferencë për shtyp, për të bërë atë që shumë pak udhëheqës bëjnë; u kërkoi falje qytetarëve; 5 herë. Babis, i cili po menaxhon një prej krizave më të rënda në botë, pranoi se vendi i tij kishte bërë gabime në menaxhimin e pandemisë dhe iu lut qytetarëve t’u binden rregullave të reja që parashikojnë kufizim të lëvizjes së lirë dhe mbylljen e dyqaneve jo thelbësore.

Greqia shpalli masën e ndalimqarkullimit gjatë natës në Athinë, Selanik e zona të tjera mes rritjes së nivelit të infektimit, Sllovakia do të mbyllë shkollat deri më 27 nëntor, do të vendosë një izolim njëjavor në 4 rajonet më të prekura dhe mbyllje të pjesshme në pjesën tjetër të vendit.

Rajoni Italian i Lazios rreth Romës, iu bashkua Lombardisë dhe Kampanjës në shpalljen e shtetrrethimit, gjatë natës. Holanda, që regjistroi 9 mijë raste në 24 orët e fundit, mund të nisë transferimin e pacientëve drejt Gjermanisë, pasi sistemi shëndetësor po i tejkalon kapacitetet.