Rama tregon se çfarë lidh Ilir Metën me sulmuesin ganez të Tiranës

meta cobbinah 1100x620

Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Twitter, është shprehur se Presidenti Ilir Meta i ka bërë gol drejtësisë, ashtu si edhe sulmuesi i Tiranës, Winful Cobbinah.

“Ilir Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan që mori pashaportën shqiptare për 8 orë nga Iliri, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentash! Të dy bashkë po, e kanë një lidhje: I kanë bërë gol me kokë drejtësisë”, shkruan Rama në rrjetin social.

I menjëhershëm reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi. Me anë të një postimi në Facebook, ai e quajti Ramën autorin e “sulmeve më të ndyra dhe antikombëtare kundër ekipit të KF Tirana”.

“Nuk kishim asnjë dyshim! Buburreci Trendi e pranoi më në fund se ai është frymëzuesi dhe autori i vetëm i sulmeve më të ndyra dhe antikombëtare kundër ekipit të KF Tirana, tifozëve të mrekullueshëm dhe komunitetit të nderuar autokton tironas, të cilësuar prej tij dhe portaleve të tij, si “terroristë”. Urrejtjen tënde për Tironën dhe ngjyrat bardhë e blu nuk ka për të ta amnistuar kush, bashkë me zullumet e tjera të tuat, për të cilat sigurisht do përgjigjesh një ditë. Sa për pastërtinë e figurës së futbollistit të Tironës, pengu i mafies së inceneratorëve, i kapur tashmë në flagrancë, bën mirë të pyesë në institucionin e sigurisë kombëtare, që nëse na jep leje jemi gati ta publikojmë ne se çfarë thotë për “terroristin” bardhë e blu! ORA E PËRBALLJES PO AFRON!Sosi uji i gamiles tënde Mister 1 Prilli”, shkruan Blushi.