Rekord rastesh ditore, shteti europian paralajmëron mbylljen e kufijve

1 130 1100x620

Polonia raportoi 13.632 raste të reja Covid-19 të premten, numri më i lartë i infeksioneve ditore që nga fillimi i pandemisë dhe një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me të hënën.

Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu, raportoi për 153 humbje jete, numri i dytë më i lartë i viktimave që nga fillimi i pandemisë.

Me shifrat e sotme, Polonia tani ka gjithsej 228,318 raste të konfirmuara dhe 4,172 vdekje.

Kryeministri Mateusz Morawiecki tha në Twitter se më shumë se 10,000 nga 18,000 shtretërit spitalorë të vendit janë aktualisht të zënë.

“Ritmi i rritjes po na shqetëson shumë. Nëse kurba nuk sheshohet dhe rastet e reja vazhdojnë të rriten, ne do të marrim masa drastike si mbyllja e kufijve, kufizimet në lëvizje ose edhe bllokim më të thellë”, shtoi ai.

Nga e shtuna, qeveria tha që i gjithë vendi do të vendoset në një “zonë të kuqe” dhe do të zbatohen kufizimet të reja.